Kurti: Kosova mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe e liri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës ka pritur qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë.
Kurti ka thënë se Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta.
“Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, kryeministri tha se Kosova do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës.
“Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre”, tha kryeministri./teve1.info/