Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/2025.
Nagavci po ashtu ka publikuar kalendarin shkollor, përmes së cilit përcaktohet pushimi vjeshtor, dimëror, pranveror e festat.
Postimi i plotë i Nagavcit, pa ndërhyrje:
Të dashur punëtorë të arsimit, të nderuar prindër.
Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, kam nënshkruar Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2024-2025.
Ky UA përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor 2024/2025 në të gjitha institucionet publike dhe private, respektivisht të vitit mësimor sipas niveleve, pushimin vjeshtor, pushimin dimëror, pushimin pranveror, festat publike për nxënësit e shkollave fillore, klasave parafillore, shkollave të mesme të ulëta, shkollave të mesme të larta, institucionet parashkollore dhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim.
Falënderoj grupin punues i cili e ka hartuar këtë kalendar i cili ka qenë gjithëpërfshirës i përbërë nga mësimdhënës, përfaqësues të DKA-ve, shkollave dhe përfaqësues nga MASHTI.
Si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bashkë me drejtoritë komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.