Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka shprehur pakënaqësitë e tij për punën institucionale ndaj kësaj kategorie dhe familjarëve të tyre.
“Përkujtimi i 30 gushtit kurrë nuk na ka gjetur më keq, më pa punë. Mos të harrojmë se në mesin e 1600 personave janë 133 fëmijë ndër 8 vjeç, në çfarë gjendje janë nënat e tyre. A po i konsideron vendori si njerëz?”, ka thënë ai për RTK-në.
Çerkini ka pasur kritika edhe për Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, me ç’rast ka përmendur mungesën e komunikimit me familjarët dhe mospjesëmarrjen e tyre në takime.
“Ne nuk jemi të kënaqur dhe ky 30 gusht na ka zënë pa asnjë përgatitje për të dalë e të themi diçka. Komisioni qeveritar nuk është i formuar ashtu siç është i paraparë me Kushtetutë e status, me qeverisje e kanë formuar për shkak të familjarëve e jo politikës”, ka thënë Çerkini.