Pas pak ditësh përfundojnë pushimet verore. Nxënësit kosovarë edhe këtë shtator mund ta fillojnë mësimin me vonesa.
Kjo për shkak se mësimdhënësit kanë paralajmëruar sërish grevë, shkruan Demokracia.com.
Paralajmërimet për grevë ka disa ditë që po i bëhen kryeministrit Albin Kurti nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit.
Një paralajmërim të tillë për grevë e mori edhe sot Kurti, pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të Këshillit të Prindërve të Kosovës me drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ku diskutuan për gjendjen aktuale në arsim dhe mundësitë për zgjidhjen e kërkesave të anëtarësisë pa ndërmarrjen e veprimeve sindikale.
Në një njoftim për media, SBASHK bëri të ditur se në takim ishin të pranishëm kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, të cilët informuan Këshillin e Prindërve të Kosovës mbi sfidat me të cilat po përballet arsimi në vend.
“Kemi shqetësime të thella për qasjen e gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe ndaj dialogut, i cili po mungon dhe kjo ka krijuar pakënaqësi në radhët e anëtarësisë”, thanë përfaqësuesit e SBASHK-ut gjatë takimit, duke thënë se janë shtuar zërat për veprime sindikale nëse nuk gjendet një zgjidhje për kërkesat legjitime të mësimdhënësve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, përfshirë kryetarin Besnik Dragusha, nënkryetarin Visar Islami dhe sekretarin Enver Balaj, shprehën mirëkuptim për shqetësimet e SBASHK-ut, por theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut për të shmangur grevat.
“E kuptojmë situatën, por kërkojmë që të shtohen angazhimet për dialog në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e drejtë pa nevojën për veprime sindikale”, thuhet në njoftim, përcjell Demokracia.com.
SBASHK-u njoftoi se do të vazhdojë përpjekjet për dialog me institucionet, por nuk përjashtoi mundësinë e veprimeve sindikale nga mesi i shtatorit nëse dialogu nuk jep rezultatet e pritshme.
Që prej ardhjes së Kurtit në pushtet, shtatori ka nisur me greva. Nga një përkrahës i madh i punëtorëve sa ishte në opozitë, Kurti është shndërruar në njërin prej luftuesve më të mëdhenj të sindikatave.
Njeriu që dikur e mbështeste çdo grevë, tash dy vjet i privoi nga paga punëtorët që ishin futur në grevë dhe po kërkonin kushte më të mira të punës e jetesës.
Kurti dhe partia e tij deri pak kohë para se të vinte në pushtet, i takonte shpesh sindikalistët.
Por, me tu ulur në karrigen e kryeministrit, qasja e tij ndryshoi, shkruan Demokracia.com.
Mësimdhënësit, mjekët e punëtorët e tjerë që hynin në greva llogarisnin në mbështetjen e opozitarit Albin Kurti. Madje, bashkë me sindikalistët, ai i akuzonte edhe qeveritë e kaluara.
Megjithatë, luftë kaq të hapur, që çoi me ndaljen e pagave të punëtorëve të Kosovës, nuk u kishte shpallur askush atyre që nga koha e regjimit serb.
Kurti erdhi në pushtet me plot premtime për ta bërë Kosovën një vend plot shpresë. Ai premtonte se bashkë me punëtorët do t’i diskutonte të gjitha hallet e tyre.
“Unë i kam takuar edhe më herët udhëheqësit e sindikatave të punëtorëve shëndetësorë. Padyshim që do t’i takoj edhe në të ardhmen, por uroj që të ketë gjithandej ndryshime. Pra, siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale e tjetër, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, edhe qytetarët e Republikës nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin apo kudo që ata janë”, thoshte Kurti.
Në opozitë, sikurse në një rast në qershor të vitit 2011 kur veteranët e UÇK-së mbanin grevë, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje i drejtohej Kryesisë së Kuvendit me një shkresë për debat lidhur me atë çështje.
E njëjtë dhe gjithmonë mbështetëse kishte vazhduar të jetë qasja e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës në opozitë.
Në vitin 2018, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i takonte përfaqësuesit e sindikatës dhe Bordit të Trepçës, nga ku kishte thënë se partia e tij është në anën e tyre.
“Asete të shumta të Trepçës duan t’i shpiejnë në likuidim, kurse minatorëve nuk duan t’ua njohin stazhin e punës gjatë viteve 1990-1999. Lëvizja VETËVENDOSJE! është në anën e punëtorëve, për të drejtat e tyre dhe për zhvillimin e Trepçës”, shkruante atëherë Kurti.
Po atë vit, Vetëvendosje mbështeste edhe grevat dhe protestat e punëtorëve të KEDS/KESCO. /Demokracia.com/