Konkurset e shpallura nga Komuna e Gjilanit po rezultojnë të jenë të manipuluara, duke favorizuar punësimin e militantëve partiakë dhe të afërmve të tyre.
Konkursi në fushën e mjekësisë ishte i shoqëruar me shumë manipulime, ku ishte thënë se kryetari Alban Hyseni, ka punësuar shokët dhe militantët e partisë së tij.
Së fundmi, kandidatët të cilët kanë marrë pjesë në konkursin në arsim kanë thënë se emrat janë vendosur nga kryetari i Gjilanit, i cili ka punësuar të afërmit e tij dhe militantët e partisë në pushtet.
Një numër i madh kandidatësh kanë dërguar ankesat e tyre në adresë të Radio Star, duke shprehur pakënaqësi lidhur me konkursin e fundit për mësimdhënës në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA).
Sipas tyre, i gjithë konkursi ka qenë i manipuluar dhe i ndikuar politikisht, duke filluar që nga komisioni vlerësues, i cili thuhet se është përbërë nga persona të lidhur me Vetëvendosjen, nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni. Kandidatët po ashtu pretendojnë se në këtë proces janë përfshirë edhe deputetë nga e njëjta parti, duke bërë që i gjithë konkursi të jetë i kurdisur.
Kandidatët pretendojnë se konkursi është përdorur për të punësuar familjarët dhe militantët politikë.
Ata janë të zhgënjyer me mënyrën e vlerësimit dhe poentimit, duke shprehur shqetësimin se në komisionin vlerësues kanë qenë persona të pa besueshëm, të cilët kanë anuar politikisht dhe kanë favorizuar disa kandidatë duke lejuar që ata të kalojnë testet në disa lëndë.