Kandidatët të cilë kanë marrë pjesë në konkursin e fundit të shpallur nga komuna e Gjilanit, për arsim, kanë shprehur pakënaqësit e tyre, duke thënë se i gjithë procesi ka qenë i manipuluar shkruan Radio Star.
Më tutje ata thonë se kanë mbledhur të gjitha faktet dhe ato i kanë dorëzuar në Prokurorin e Gjilanit.
Radio Star ka mësuar se kandidatët që kanë aplikuar në konkursin e fundit të organizuar nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan kanë paraqitur ankesat dhe pakënaqësitë e tyre. Sipas tyre, ky konkurs ka qenë i manipuluar dhe i përgatitur për të favorizuar familjarët e pushtetarëve, për “kunata dhe balldeska,” siç e përshkruajnë kandidatët.
Aplikantët janë shprehur tejet të zhgënjyer me kryetarin e komunës për një proces që e konsiderojnë të pandershëm dhe plot me manipulime. Ata besojnë se kjo situatë e paqartë brenda institucionit mund të zbardhet vetëm nga Prokuroria e Gjilanit, nëse ekziston vullneti për ta hetuar këtë çështje, pasi ata thonë se posedojnë të gjitha dëshmitë që tregojnë se procesi nuk ka qenë aspak transparent.