Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se procesi i pritjeve në QKUK do të digjitalizohet, me investime të fokusuara në sportele “ku bëhen të gjitha tollovitë”.
Sipas Vitisë, kjo do ta zgjidhë një problem të kamotshëm të qytetarëve, e përveç digjitalizimit, do të investohet edhe në kushte komode gjatë pritjes.
Tutje, ministri, ka folur edhe për listën e barnave esenciale, e cila tani është në nivelin më të lartë ndonjëherë, duke mbuluar 70-75 të barnave në QKUK.
Madje, ai ka thënë se në disa klinika specifike, ku kostoja për trajtimin e pacientëve është më e lartë, siç është klinika onkologjike, kjo shifër shkon në mbi 95 për qind.
“Një problematikë që është paraqitur edhe nga pacientët, janë pritjet e gjata në ambiente aspak komode. Kemi identifikuar se kjo është për shkak të infrastrukturës dhe mos-digjitalizimit të procesit të pritjes. Në radhë, do të kemi investime në sportele, nyjet kyçe ku bëhen të gjitha këto tollovi. Kështu digjitalizohet procesi i pritjes, rregullohen ambientet ku presin qytetarët dhe bëhet ‘paitent floë’, pra rrjedha e pacientit, që qytetarët të presin sa më pak, por edhe nëse ka raste që presin, të jetë pritje në kushte komode”.
“Lista e barnave esenciale edhe në QKUK, edhe në sistemin primar, tani pas nënshkrimit të shumë kontratave është në një nivel që më herët nuk ka qenë kurrë në Republikën e Kosovës. Sa i përket barnave në QKUK, kjo listë është diku 70 apo 75% e përmbushur për momentin, por në disa klinika specifike ku edhe kostoja për trajtimin e pacientëve është më e lartë, siç është klinika onkologjike, kjo shifër shkon në mbi 95%”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
“Në nivelin primar janë nënshkruar shumë kontrata të cilat më herët, për shkaqe të ndryshme, kryesisht që nuk ka pasur operatorë të interesuar për të garuar në procesin e prokurimit, tanimë një pjesë e mirë është zgjedhur dhe për herë të parë kontratat që janë nënshkruar në Ministrinë e Shëndetësisë sa i përket barnave arrijnë nivelin 70%, kurse për materiale shpenzuese shkon mbi 95%”.
Ai ka thënë se Komiteti për Listën e Barnave Esenciale vazhdimisht bën përditësim të kësaj liste në bazë të kërkesave të profesionistëve shëndetësor, teksa ka marrë shembull atë të Klinikës së Gjinekologjisë për barna për fertilizimin e asistuar mjekësor.
“Komiteti për Listën e Barnave Esenciale vazhdimisht bën përditësim të kësaj liste në bazë të kërkesave të profesionistëve shëndetësor. Ne synojmë që sivjet ta funksionalizojmë edhe shërbimin e fertilizimit të asistuar mjekësor në Klinikën Gjinekologjike, ku përveç aparaturave që tashmë janë duke u montuar dhe ambienteve që kanë përfunduar, nevojiten edhe disa barna, të domosdoshme për këtë procedurë. Me kërkesën e drejtorit të Gjinekologjisë, Komiteti i Listës së Barnave Esenciale veçse e ka marrë si kërkesë dhe besoj që shumë shpejt do ta përditësojë listën dhe t’i fusë edhe këto barna.”
“Aty ku kemi mundësi, brenda buxhetit, sepse e tha edhe kryeministri që gjatë një viti qytetarët tanë kanë nevojë për rreth 120-130 milionë euro barna. Një pjesë të madhe e mbulon shteti, mirëpo jo qind për qind dhe ne po punojmë që në pjesën ku ngarkohet më së shumti xhepi i qytetarëve, ta mbulojmë. Nuk mundemi që t’i fusim të gjitha kategoritë njëherë, por po punojmë që ta shtojmë volumin e kësaj liste”.
E teksa foli për problemet në referimet e shumta nga spitalet dhe qendrat tjera në QKUK, Vitia ka thënë se po bëhen disa veprime që numri të ulet.
“Ministria e Shëndetësisë ka dhënë udhëzimet. ShSKUK-ja tash është duke punuar në këtë drejtim. Kanë filluar disa investime në spitale regjionale, investime që do të vazhdojnë, për të rritur kapacitetin dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve. E dyta, ajo çka po bën ShSKUK-ja, çdo referim që bëhet duhet të jetë referim i arsyeshëm dhe duhet të raportohet. Kjo na ndihmon edhe neve si Ministri e Shëndetësisë që t’i hartojmë politikat tona të investimeve, në kuptimin që është problem i referimit, mungesa e resurseve njerëzore, të hapim vende pune për këto pozita. Nëse është edukimi i vazhdueshëm profesional, bashkë me QKUK-në, të bëhet edukimi. Ndërsa, nëse është mungesa e hapësirave ose e pajisjeve, të investojmë në hapësira dhe pajisje të reja, që numri i referimeve të ulet. Procesi ka filluar, çdo referim bëhet në koordinim me QKUK-në dhe Klinikën Emergjente”.