Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë uruar mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në një njoftim për media, SBASHK ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit për të përballuar sfidat e vitit të ri akademik, duke nënvizuar angazhimin për arritje të reja në fushën e arsimit.
“Edhe në këtë vit shkollor do të përballemi me shumë sfida, por bashkërisht mund t’i tejkalojmë më lehtë”, thuhet në njoftim.
SBASHK po ashtu ka bërë të ditur se do të vazhdojë përpjekjet për zgjidhjen e kërkesave legjitime të anëtarëve të saj përmes dialogut me qeverinë dhe institucionet përkatëse.
Megjithatë, sindikata ka paralajmëruar se nëse dialogu nuk jep rezultat, mund të ndërmerren veprime sindikale sipas vullnetit të anëtarësisë.
“Ne do të vazhdojmë me aktivitetet dhe me komunikimin me institucionet dhe palët tjera me qëllim që të realizojmë gjithë kërkesat e anëtarësisë, por nëse dialogu nuk jep asnjë rezultat, atëherë ne do të respektojmë vullnetin tuaj edhe për veprime sindikale për të cilat vendosin përfaqësuesit tuaj që nga çerdhet e deri në universitete në Këshillin Drejtues të SBASHK-ut”, thuhet tutje në njoftim.