Policia e Kosovës ka nisur të premten një aksion për mbylljen e disa objekteve të strukturave paralele në komunat në veri. Për aksionin, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur pesë komuna paralele.
E për këtë çështje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti thotë se ambasadat përkatëse, qëndrimi i tyre është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për politikën dhe të ardhmen e Kosovës.
“Unë mendoj që ambasadat përkatëse që i përmendet ju kanë më shumë informata se sa që kam unë, dhe qëndrimi i tyre është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për politikën dhe të ardhmen e Kosovës. Këto komuna kanë bartë e kanë transportuar për Serbi dokumentacionin e vet rreth 2 muaj përpara para se të ndërhyjnë forcat e policisë”, deklaroi Haliti.
Sipas Halitit, strukturat paralele paguhen nga Serbia.
“Këto struktura paralele paguhen rregullisht nga Serbia qysh paguhen edhe disa forca të policisë që janë në veprim atje. Kjo është një fushatë elektorale e Albin Kurtit, nuk është një veprim i cili në një mënyrë ose tjetrin krijon e zhvendos një strukturë paralele e cila nuk është e jona. Policia e Kosovës është për t`a ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për t`a luftuar krimin e organizuar në gjithë territorin e Kosovës që përfshin edhe veriun”, tha Haliti në tëvë1.
Deputeti i PDK-së thotë se janë të tepërta deklarimet e ministrit dhe policisë lidhur me aksionet.
Ndryshe, i pyetur për Urën e Ibrit, ky i fundit thotë se masat ndaj Kosovës nuk duhen të merren sepse i vuajnë qytetarët e vendit.
Më tej, ai tha se Ura e Ibrit duhet të hapet me marrëveshje në mes të dy komunave të Mitrovicës.
“Unë mendoj që veprimet dhe deklarimet për media të ministrit dhe policisë lidhur me aksionet është disi e tepërt. Unë dëshiroj që mos të merren masa ndaj Kosovës, sepse pasojat i vuajnë qytetarët, por mendoi që politikat dhe mediat duhet të bëjnë maksimumin e mundshëm që propaganda që është duke u zhvilluar më shumë nga veshi në vesh. Pavarësia e Kosovës është se pari investim perëndimit, investim i NATO-s dhe NATO nuk shtyhet prapra, po NATO dhe perëndimi kuptohet që masat e saja në drejtim të politikave të gabueshme të Kosovës natyrisht që t`a marrin, por jo t`a kthejnë Kosovën ku ka qenë. Ura e Ibrit duhet të hapet me marrëveshje në mes të dy komunave të Mitrovicës”, deklaroi Haliti .