Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz në ditën e dytë në Forumin e Bledit në Slloveni është pyetur për mesazhet e BE-së dhe ShBA-së dhe moskoordinimin me ta për veprimet e fundit, gjë për të cilën ajo ka thënë se marrëdhënia me ta shkon përtej punëve të përditshme që Kosova bën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ministrja Gërvalla në panel ku ishte dhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Kosova është një histori suksesi e ShBA-së dhe Evropës, ndërsa tha se shteti ynë u ka borxh aleatëve një shtet ku sundimi i ligjit, demokracia e të drejtat e njeriut e sidomos ato të pakicave janë në standardet më të larta.
“Marrëdhënia e Republikës së Kosovës me partnerët shkon përtej punëve të përditshme që ne po bëjmë. Kosova është historia më e suksesshme e Perëndimit në një rajon që nuk ishte i lehtë në të kaluarën. Kosova është një histori suksesi e ShBA-së dhe një histori suksesi evropiane, sepse na duhej NATO për të ndaluar luftën dhe gjenocidin dhe për t’i sjellë lirinë popullit tonë. Dhe kjo është arsyeja pse kjo marrëdhënie shkon përtej asaj që ne po bëjmë në vende të ndryshme këto ditë. Ne besojmë se në Kosovë u kemi borxh partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë një shtet ku sundimi i ligjit, demokracia, të drejtat e njeriut, madje edhe të drejtat e pakicave janë në standardet më të larta të imagjinueshme”, tha Gërvalla para të pranishmëve.
Ministrja Gërvalla përmendi edhe diskutimet e fundit për hapjen e Urës së Ibrit, gjë për të cilën ajo tha se do vazhdohet me hapjen e tyre, pasi urat janë për t’i lidhur qytetarët.
Sipas saj Kosova s’do të ndalet për të bërë gjënë e duhur vetëm sepse pala tjetër përtej kufirit s’është e interesuar ta shoh Kosovën të përparojë.
Gërvalla tha se kjo që po bën Kosova nuk është provokim për askënd.
“Dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare që po merren me matjen e standardeve po konfirmojnë se Kosova mbetet lidere e demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajonin tonë. Presidentja von der Leyen dje në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së hapjes përmendi se si INF dhe të tjerët konfirmojnë reformat e jashtëzakonshme ekonomike që po çonin në përfitime për të gjithë në Kosovë. Pra, kjo është ajo që ne u kemi borxh qytetarëve tanë dhe partnerëve tanë. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe rritja e standardeve të demokracisë dhe shtetit ligjor është detyra parësore e qeverisë sonë dhe ne besojmë se pikërisht kështu do t’i bashkohemi Bashkimit Evropian sa më shpejt që të bëhet e mundur”, tha ajo.
“Kemi pasur një diskutim për hapjen e urave. Ne do të vazhdojmë hapjen e urave sepse urat janë aty për të lidhur njerëzit dhe për të lidhur qytetet. Urat nuk janë aty për të mbetur me simbolet e vjetra të Sllobodan Millosheviqit në një qytet të ndarë. Ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë të gjithëve mundësinë për të jetuar në siguri dhe paqe në vendin tonë. Por kjo duhet të jetë shumë e vendosur kur luftojmë strukturat ilegale, kur gjejmë banda kriminale ilegale që po kërcënojnë jo vetëm ne si shtet, por mbi të gjitha qytetarët serbë në komunat veriore. Ne nuk do të ndalemi së bërë gjënë e duhur vetëm sepse në anën tjetër të kufirit ka njerëz që nuk janë të interesuar ta shohin Kosovën të përparojë”.
“Dhe të jem shumë, shumë e hapur dhee sinqertë me ju, kjo që po bëjmë nuk është një provokim për askënd. Ekzistenca jonë si Republikë e Kosovës është provokim për fqinjin tonë verior. Ky është problemi. Por ne nuk mund të zhdukemi sepse jemi atje për të qëndruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë një perspektivë më të mirë për të rinjtë tanë në Kosovë”, tha mes tjerash ministrja Gërvalla në ditën e dytë, si pjesëmarrëse në Forumin e Bledit në Slloveni.
/Reporteri.net/