Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë sot për vizitë në Prishtinë. Vizita është pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri.
Vizitën e tij e ka konfirmuar të enjten, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Po mund të konfirmojmë se emisari Miroslav Lajçak do të vizitojë nesër në Prishtinë”, ka deklaruar Stano.
Ai ka thënë se po angazhohen me partnerët në Kosovë dhe se shpresojnë që çështjet të zgjidhen përmes dialogut.
“Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Stano.
Lajçak të dielën e 1 shtatorit pas pjesëmarrjes në Forumin e Sigurisë GLOBSEC në Pragë, e pas takimeve që zhvilloi atje pati paralajmëruar se me të përfunduar Forumi i Bledit në Slloveni do të vizitojë Prishtinën.
Ai ka thënë se vizita në Prishtinë do të jetë si përgatitje për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel.
Në Forumin e Sigurisë në Pragë, emisari sllovak ka theksuar se nuk pret zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pas zgjdhjeve, emisari evropian ka deklaruar se duhet të ketë ndryshim të rëndësishëm në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.
Javët e fundit BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të mos marrin vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara të cilat rrisin tensionet edhe më shumë në veri.