Sot janë bërë 25 vjet që nga themelimi i Policisë së Kosovës.
Për nder të 25 vjetorit të Policisë së Kosovës sot do mbahen disa aktivitete.
Policia e Kosovës sot organizon ceremoninë qendrore, e cila do të mbahet duke filluar nga ora 11:00.
Në këtë ceremoni solemne pritet të marrin pjesë personalitetet e larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
Në kuadër të drejtorive rajonale do të organizohet edhe porta e hapur për qytetarë, ku qytetarët kanë mundësi të vizitojnë rajonet/stacionet policore.
Policia e Kosovës që nga themelimi është institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend. Policia e Kosovës (PK) ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999.
Policia e Kosovës numëron, gjithsej, pesë departamente; të operacioneve, të hetimeve, të kufijve, të shërbimeve mbështetëse dhe atë të burimeve njerëzore.
Në nivel qendror, në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike funksionojnë ndaras dy (2) drejtori, të cilat dallojnë për nga detyrat dhe orientimi i aktiviteteve policore; Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional dhe Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë.
Ndërsa, në nivel lokal ka, gjithsej, tetë Drejtori Rajonale me, gjithsej, dyzet (40) stacione policore: Prishtinë, Prizreni, Gjilani, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut.