Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kujtuar Ditën e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut.
Abdixhiku ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte thjesht një dokument juridik, por ishte një akt i fuqishëm rezistence ndaj pushtimit dhe padrejtësive që ka përjetuar populli i Kosovës.
“Sot, rikujtojmë edhe deklaratën e Presidentit Ibrahim Rugova se “dita e 7 shtatorit të vitit 1990, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut të të njëjtit vit”, ka shkruar kryetari.
Tutje, ai ka thënë se në këtë përvjetor e vlerëson lart kontributin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës.
“Në këtë përvjetor, çmojmë dhe vlerësojmë lart kontributin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në një kohë shumë të rëndë e në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, më 7 shtator 1990. Po ashtu përulemi para grave e burrave, që punuan ditë e natë për jetësimin e ëndrrës shekullore për liri e pavarësi”, ka thënë Abdixhiku.