Vjosa Osmani ka thënë se fitorja e zgjedhjeve parlamentare të 17 shkurtit 2021 nuk i takon vetëm Lëvizjes Vetëvendosje. Ka thënë se rezultati ishte i përbashkët.
Në një intervistë të fuqishme të dielën, presidentja e Kosovës tha se nuk ka vendosur nëse do të kandidojë edhe për një mandat në krye të Presidencës.
“Ende nuk e kam vendos një gjë të tillë, ta them shumë sinqerisht për shkak se ka shumë faktorë që duhet me u marr parasysh”, tha Osmani në një intervistë për Kallxo Përnime.
Osmani e ka porositur Kurtin të mos i marrë meritat për fitoren plebishitare të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Sipas saj, fitorja e zgjedhjeve parlamentare është pasqyrë e bashkimit të forcave mes asaj dhe Kurtit.
“Kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kalume, ka qenë i përbashkët dorën në zemër. Sepse kur patëm kandidu ndamas unë i pata marrë diku 200-225 mijë vota e kur u bashkum i bëmë 440 mijë. Ajo çka po them unë është që ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët, rrjedhimisht ne kemi qenë në krye të fushatës, kandidat për kryeministër dhe kandidat për president. Pra e kemi përkrahur njëri- tjetrin, se kur kjo po përkthehet ‘jo ty të ka përkrah vetëvendosja’, po kadale se kjo gjë ka qenë reciproke, i kemi bashkuar forcat dhe kemi arritur një rezultat të mirë”, tha Osmani.
Ajo tha se është bërë punë e mirë në shumë drejtime. “A ka mujt me u bo ma mirë në shumë sektorë, po”, shtoi Osmani.
Presidentja Osmani tha se “nuk i bie pishman për bashkëpunimin”.
Osmani u pyet se a ndihet e përdorur që votat e saj ta çojnë VV’në në pushtet,
“Nuk e lejoj askënd me më përdor, të lutem, nuk e lejoj askënd. Unë jam duke e përfaqësuar shtetin tim, jam duke e mbrojtur interesin e shtetit tim, jam duke e bërë të pamundurën që interesi i Kosovës të mbrohet brenda dhe jashtë vendit. Nuk lejoj me më përdor askush, se as kur kam qenë 22 vjeç në politikë nuk jam përdorur e le më tash”, tha ajo.
Ajo u pyet nëse do të vazhdojë karrierën politike pas postit të presidentes.
“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, tha Osmani./Paparaci/