Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se partia e tij do të angazhohet që të realizojë konceptin e ngritjes së pagave në 1 mijë euro.
Në një deklarim për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, Tahiri u shpreh se AAK-ja do të angazhohet për realizimin e tri koncepteve: ngritjen e pagave, Ligjin për Sigurimet Shëndetësore dhe forcimin e ekonomisë.
“Do të vazhdojmë angazhimin tonë që të shtyjmë përpara konceptimin e Ligjit të Pagave, ku vlera mesatare e një page në Ligjin e Pagave do të jetë një mijë euro”, tha Tahiri.
Tahiri tha se AAK-ja do të shtyjë përpara edhe miratimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe çështja e tretë është forcimi i ekonomisë.
“Kosova kurrë s’ka qenë më e dobët në ekonomi që prej shpalljes së pavarësisë së saj”, tha ai.
Ai kritikoi qeverinë edhe për mungesën e kushteve dhe menaxhimin e dobët të institucioneve shëndetësore, konkretisht të QKUK-së. /Paparaci.com