Astrit Fazliu, prej sulmuesve më të mirë në vendin tonë, beson e shpreson se do të ketë edhe më shumë rritje të nivelit të lojës po ashtu edhe të shikueshmërisë në kampionatin e ardhshëm të Kosovës.
Futbollisti pretendon se me Feronikelin nga Drenasi do të jenë kandidat të fortë në dy fronte: për titull dhe për Kupën e Kosovës, duke paralajmëruar kështu edhe ish-skuadrën, Dritën.
“Bota sot”: A ishte vështirë të largohesh nga kampioni Drita, skuadër që do të garojë në Champions League dhe të shkosh në Feronikel?
Astrit Fazliu: Ka qenë pak vështirë sepse u stolisem me titullin e kampionit dhe luajnë në Champions, por kushte që mi afruan Feronikeli me ato të Dritës ishin shumë të mëdha. Drita nuk bëri më shumë për të vazhduar unë me ta, kurse organizimi që ka Feronikeli me binden që të jem aty. Kam pyetur edhe lojtarët që janë në Feronikel, me kanë treguar për një klub shumë të organizuar, po ashtu edhe me përforcimet dhe me lojtarët që janë aty, gjithashtu edhe me trajnerin e mirënjohur, Sulejman Starova, që kishte punuar në Partizan të Tiranës, më shtyn që të ndërrojë ambient. Me Dritën kisha kontratë deri në fund të qershorit dhe marrëveshja ishte që në rast të ndonjë oferte me më liruar, ashtu edhe iu përmbajtëm marrëveshjes.
“Bota sot”: A ka pas cilësi në kampionatin e sapo përfunduar?
Astrit Fazliu: Mendoj se ka pasur cilësi, megjithatë brengë ka qenë infrastruktura, sidomos në vjeshtën e kaluar disa terrenet ishin me baltë dhe vështirë mu zhvilluar një ndeshje futbolli. Në përgjithësi edhe investitorët po bëjnë shumë dhe po rritet tregu në vendin tonë dhe çdo hap është në ngritje, por duhet me shumë investime në infrastrukturë.
“Bota sot”: Një kohë në Partizan të Tiranës, pastaj në Flamurtar të Vlorës, dallon shumë infrastruktura e stadiumeve shqiptare me këto në Kosovë?
Astrit Fazliu: Shumë dallon infrastruktura sportive me atë të Kosovës. Janë shumë më të organizuar, iu rrinë gati fushave dhe shihet përmes kamerave, ka shumë punëtorë në fusha para dhe pas ndeshjes. Për gjatë gjithë javës angazhohen punëtorët dhe nuk lejojnë që të dëmtohet fusha.
“Bota sot”: Drita garon në parakualifikimet e Champions League dhe Prishtina në Europa League, si i sheh këto skuadra?
Astrit Fazliu: Drita e ka brumin, përveç meje më duket se është larguar edhe Kastriot Rexha. Besojmë se me përforcimet që bëjnë dhe me ekipin që kanë do të prezantojnë sa më mirë shtetin tonë. Është një turne që luhet në një vend dhe nuk janë ekipe të forta, kështu që Drita e ka më lehtë të kualifikohet. Prishtina varet nga shorti se si i bie sepse mund të ndeshen me ndonjë ekip që ka përvojë. Shpresoj në ndonjë ekip më të lehtë.
“Bota sot”: A do të luftojë Feronikeli për të gjitha trofetë në edicionin e ardhshëm?
Astrit Fazliu: Feronikeli ka qenë dy vite rresht kampionë dhe si gjithmonë skuadër e fortë, mendoj se me përforcimet dhe lojtarët që ka pasur edicionin e kaluar, do të synojë titullin dhe Kupën e Kosovës. Po ashtu presim edhe shikueshmëri më të madhe në përgjithësi të ligës.
“Bota sot”: A ka rritje të nivelit në krahasim me vitin 2010?
Astrit Fazliu: Ka rritje në krahasim me vitin 2010, ka më shumë kamera, ka shumë gjëra më pozitive.