Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Gjilan, ka ndaluar të dyshuarin F.N., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’, nga neni 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekziston dyshimi, se i dyshuari F.N., ka siguruar dhe ka përdoruar patentë shofer të Republikës së Kosovës, i cili dyshohet se është falsifikuar dhe nuk ka kaluar nëpër procedurat e rregullta ligjore për lëshimin e tij nga autoritetet përkatëse, të cilin e kishte siguruar nga një person i panjohur, duke paguar shumën e të hollave prej 400 euro.
I njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të vendoset rreth masës për sigurimin e tij në procedurë penale.