Futbolli në Kosovë ka marrë lajmin më të hidhur që pas pavarësimit.
Legjenda e futbollit të Kosovës dhe njëherit kryetar i deritashëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka ndërruar jetë pas një komplikimi shëndetësor.
Por kush ishte Fadil Vokrri, njeriu që falë lojërave të tija fantastike bëri për vete miliona shqiptarë?
Vokrri është lindur në Podujevë, ndërsa falë lojërave të tij kishte marrë nofkën Maradona shqiptar.
Karrierën e tij prej futbollisti e nisi tek skuadra e vendlindjes KF Llapi për t’iu bashkuar pastaj Prishtinës.
Nga viti 1980 deri më 1986, Vokrri shkëlqeu me klubin e kryeqytetit të Kosovës,
FC Prishtina që në atë kohë ishte thuajse si reprezentacion.
Falë paraqitjeve fantastike me Prishtinën ku në 172 ndeshje realizoi 55 gola, Vokrri u transferua tek Partizani i Beogradit.
Por pikën kulmore në fanellën kaltër e bardh Vokrri dhe yjet tjerë shqiptarë e arritën kur e mposhtën Yllin e Kuq të Beogradit në shtëpinë e vet, në Marakana.
Në atë kohë ylli nga Kosova ishte pjesë edhe e Përfaqësueses së Ish-Jugosllavisë.
Me Partizanin e Beogradit, Vokrri regjistroi 55 paraqitje duke shënuar edhe 15 gola.
Legjenda e futbollit kosovar vazhdoi karrierën në Francë te Nimes ndërsa në Turqi luajti për gjigantin Fenerbahce.
Edhe pse ishte idhull i tifozëve turq, Vokrri nuk arriti të tregojë shkëlqimin si te Prishtina e Partizani.
Gjithsesi dy skuadrat e fundit në karrierë për Vokrrin ishin, Bourges 18 dhe Montlucon.
Për ish-Jugosllavinë, Vokrri ka regjistruar 12 ndeshje ku ka arritur të shënojë gjashtë gola.
Vokrri vazhdoi të jetonte në shtetin e Francës para se të kthehej në vendlindje.
Fillimisht ai u angazhua nga ish-klubi i tij Prishtina si drejtor sportiv.
Ndërkohë në vitin 2008 Vokrri u zgjodh president i Federatës së Futbollit të Kosovës me një mandat katër vjeçar.
Ishte një futbollist legjendar dhe i njëjti vazhdoi punën edhe në krye të shtëpisë më të madhe të futbollit në Kosovë.
Vokrri ishte më meritori që fillimisht Kosovës iu lejuan ndeshjet miqësore nga UEFA dhe FIFA.
Ndërkohë pas kësaj leje, Vokrri përsëri bëri punën më të madhe që FFK të pranohet me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.
Kosova ka humbur një ish-futbollist të madh dhe një zot shtëpie të futbollit tonë.
Lamtumirë legjendë. /Telegrafi/