Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, po qëndron në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka takuar kryetarin e Kongresit amerikan, Mike Johnson, senatorin Ted Cruz dhe gjashtë kongresistë amerikanë.
Tahiri, në SHBA, gjithashtu ka zhvilluar takime me kongresistë dhe senatorë, ku ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë.
Ai për RTK tha se Amerika vazhdon të ketë ndjeshmëri të lartë për Kosovën.
“Narrativi dhe tregimi për Kosovën po shtyhet shumë nga diplomacia e Serbisë. Është tepër e nevojshme që të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat për të treguar të vërtetën e Kosovës, për të dëshmuar miqësinë që populli dhe vendi ynë ka, dhe po ashtu për të kërkuar mbështetje. Nuk ka rrugë të qëndrueshme për popullin e Kosovës, për shtetin tonë dhe për pavarësinë tonë pa mbështetjen amerikane,” tha ai.
Tahiri theksoi se duhet të shfrytëzohet komunikimi i drejtpërdrejtë dhe gjithashtu të shfrytëzohet lobi shqiptaro-amerikan për të thelluar bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se duhet të kërkohet që të ecim përpara dhe që Kosova të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike.