Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kritikuar qasjen e Brukselit për sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.
Sipas Osmanit, problemi në dialog është se ka kohë të gjatë që nuk po dëshmon se i njëjti po organizohet në parimin e barazisë së palëve.
E para e shtetit tha se për takimin e djeshëm në Bruksel, duhet pyetur kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, se për çfarë tema është dakorduar.
“Për sa i përket temave, duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, pasi në publik është thënë që janë dakorduar për disa tema bashkë me Lajçakun”.
“Nëse dikush bën dialog për Urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, Kushtetutës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha presidentja në një konferencë për media, pas lansimit të Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
Tutje, ajo tha se tema e Urës së Ibrit duhet të dialogohet me partnerët e sigurisë së Kosovës, pasi sipas saj, edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë.
“Mbi të gjitha është interes i Kosovës që të punojmë me partnerët tanë të sigurisë, ta kemi këtë plan, i cili pastaj të zbatohet dhe kur të hapet ura, do të jetë vendim i qëndrueshëm që nuk do të mund dhe nuk do të duhej të sfidohej nga askush”, tha Osmani.
Dje kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ka takuar ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Tom Goffus dhe komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, Sefano Tomat, me të cilët foli për hapjen e mundshme të Urës së Ibrit.
Sveçla e pranoi sot se në Bruksel po dialogohet për Urën e Ibrit
Në një intervistë të shkurtër për televizionin publik gjerman, DW, edicioni në gjuhën shqipe, ministri Xhelal Sveçla ka vlerësuar se për çështjen e urës shumë shpejtë do të ketë një situatë tjetër.
“Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejtë. Jam i bindur se pas bisedimeve dhe koordinimit të nevojshëm me KFOR-in që është prezent aty dhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë tjetër”, ka thënë ai.
Ministrja Haxhiu e pranoi që Bislimi ka dialoguar për Urën e Ibrit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, potencoi se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka thënë që çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve do të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut.
Duke pranuar – dy sekonda më pas – se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka diskutuar këtë çështje pikërisht në procesin e dialogut në Bruksel.
“Asnjëherë nuk kemi thënë që kjo duhet të jetë temë që do të diskutohet në Bruksel”, tha Haxhiu.
“Por, sot Bislimi e diskutoi”, e pyeti gazetarja.
“Sot zëvendëskryeministri, Bislimi, e ka specifikuar që kanë folur për lirinë e lëvizjes, për rëndësinë e lirisë së lëvizjes. Prandaj duke diskutuar me përfaqësuesin e BE-së, pra në takimin bilateral dhe jo në një ku ka qenë Serbia, ka qenë e qartë edhe për BE-në që hapja e urës nuk ka alternativë”, shtoi ajo