Federata e Futbollit të Kosovës i ka falënderuar të gjitha klubet që iu bashkuan fushatës së saj me komunikata përkrahëse për FFK-në, por me përmbajtje të një presioni të hapur ndaj mediave, gazetarëve, emisioneve sportive, analistëve e panelistëve të ndryshëm, gjë që u konstatua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Për më tepër, FFK-ja në uebfaqen zyrtare të saj i ka shpërndarë edhe një herë të gjitha këto komunikata të klubeve.
Ndërsa, thotë se ky reagim i klubeve është tregues i një unitetit të komunitetit të futbollit dhe përgjigje ndaj shpifjeve të një individi – pa ia përmendur emrin gazetarit dhe publicistit, ish-gjyqtarit të futbollit, Baton Haxhiu.
Në komunikatën e FFK-së thuhet:
Klubet dhe, në përgjithësi, komuniteti i futbollit në Kosovë kanë dëshmuar edhe njëherë se janë mburojë e fortë e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ato nuk lejojnë që individë të paintegritet, të cilët nuk kanë lidhje me futbollin, të denigrojnë dhe shantazhojnë këtë sport, për të cilin është derdhur shumë djersë dhe janë bërë investime të mëdha për dekada me radhë. Klubet, Lidhjet Rajonale, shoqatat e asociacionet e trajnerëve, të gjyqtarëve, të veteranëve, të futbollit të femrave, të futsallit, shkollat e futbollit dhe të gjithë dashamirët e futbollit kanë reaguar ashpër ndaj shpifjeve të fundit nga një personazh që fshihet pas petkut të gazetarit dhe opinionistit. Federata e Futbollit të Kosovës shpreh mirënjohjen e saj ndaj të gjitha klubeve, futbollistëve, trajnerëve dhe dashamirëve të futbollit për mbështetje të vazhdueshme. Faleminderit që e mbroni dhe e vlerësoni futbollin, duke e forcuar imazhin e tij dhe duke mos lejuar nëpërkëmbjen e tij nga disa individë që nuk përfaqësojnë asgjë në këtë sport. FFK do të vazhdojë të përfaqësojë me krenari vlerat e vërteta të futbollit dhe parimet e UEFA-s dhe FIFA-s. Ne do të krijojmë kushte të favorshme për të rinjtë e vendit tonë përmes investimeve dhe mbështetjes në të gjitha segmentet; edukim, avancim, infrastrukturë, zhvillim, masivizim dhe profesionalizëm. Së bashku, do ta ruajmë dhe zhvillojmë futbollin tonë!”