Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka bërë ftesë publike Ministrit të Financave, Hekuran Murati, për përballje televizive, madje ia ka lënë atij që ta zgjedhë kohën, panelin e televizionin.
Këtë, Bajrami e ka bërë përmes një postimi në Facebook, pak orë pasi që Murati ka thënë se Kosova ka rritjen më të ulët të çmimeve në rajon, derisa është mburrur për reforma ekonomike e çështje të tjera që kanë të bëjnë me aspektin ekonomik.
Por, për të gjitha këto pretendime të Muratit, Bajrami i ka kërkuar atij ballafaqim publik, që qytetarët të marrin vesh se ku qëndron e vërteta.
Ish-Ministrja e Financave ka potencuar se rritja mesatare e çmimeve prej që e ka marrë mandatin Hekuran Murati është 22 për qind. “Këtij 22%-shi ju kanë shtu plus 1.4% në muajin e fundit”, shtoi.
“Por, manipulimi i fundit i kontabilistit, në pozitën e ministrit nuk është për të ju bindur se nuk janë rritur çmimet, se Hekurani e din që ju i dini lëvizjet e çmimeve në baza ditore, ky manipulim është më shumë për me largu vëmendjen nga demaskmi që po u bëhet aferave korruptive të Lëvizjes Vetëvendosjes, andaj edhe njëherë unë kërkoj nga Lëvizja Vetëvendosje të ju shpjegoj qytetarëve për 273 milionë Euro tendera sekret”, vazhdoi.
Deputetja e LDK-së kërkojë nga pushteti që të tregojnë se si ka mundësi që për një rast korrupsioni me u intervistu qoftë edhe në cilësinë e dëshmitares një zyrtare e lartë e LVV-së, duke iu referuar Dejona Mihalit, e cila nuk e ka asnjë funksion as në Qeveri as në KEK.
“Ajo ka funksion të lartë në parti, çka duhet me dëshmu partia këtu? “, pyeti ajo.
Edhe në cilësinë e dëshmitarëve do të ishte deri diku e arsyeshme me u intervistu, vlerësojë Bajrami, “këshilltarët e Nagip Krasniqit, ata që punojnë në KEK, se mbase e kanë udhëzu gabimisht, me u intervistu ata që punojnë në divizion të prokurimit, njësia e kërkesës, zyra ligjore apo cilido punëtor i KEK-ut, por me u intervistu dikush që asnjë lidhje zyrtare nuk e ka me KEK-un, qysh?”
“Përveç kur prokurimi i 273 milionave euro të tenderëve sekret gatuhet në zyrat e LVV-së, aty ku Dejona është zyrtarja më e lartë, siç tha Glauku, ajo i koordinon ‘politikat profesionale’ të LVV-së”, pohoi.
E për “çmime të ulta”, për “reforma”, për “progres”, Bajrami i bëri ftesë publike Hekuran Muratit “që të përballemi në njërën nga studiot televizive dhe t’i ballafaqojmë propagandën me fakte e të shohim se cilës do t’i besojnë qytetarët”.
“Hekuran, zgjedhe televizionin, zgjedhe kohën, zgjedhe panelin – unë jam e gati”, përfundoi ajo.