Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në punimet e autostradës Prishtinë-Gjilan, ka shprehur zhgënjimin e tij për ritmin e ngadaltë të progresit.
Haradinaj tha se autostrada, e nisur gjatë qeverisjes së tij në vitin 2018, kishte arritur një përparim të dukshëm brenda 19 muajve të parë, me 47% të punimeve të përfunduara.
Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale për dështimin në përmbushjen e këtij projekti, duke e cilësuar këtë situatë si përbuzje ndaj Gjilanit dhe Anamoravës, të cilët, sipas tij, po mbahen të izoluar.
Shkrimi i plotë:
Zhgënjyes dhe dëshpërues ritmi i punimeve në autostradën Prishtinë – Gjilan!
Në autostradën që e filluam gjatë qeverisjes sime më 2018, me gjatësi prej 22.3 km dhe e ndarë në 8 llote, në vetëm 19 muajt e parë të projektit, kanë qenë të përfunduara 47% e punimeve. Me dinamikën e asaj kohe dhe në bazë të planifikimeve tona, ky projekt do duhej të përfundonte në 2021.
Pazotësia e qeverisë aktuale, këtë projekt e ka sjellur në gjendje të mjerueshme. Punimet po ecin me ritëm të ngadaltë, duke lënë Gjilanin dhe Anamoravën të izoluar. Kjo përbuzje nga pushteti qendror është e pafalshme. Qeveria aktuale jo vetëm që ka ndërprerë shumë projekte të filluara nga ne, por edhe ato që po vazhdojnë po kryhen me cilësi të dobët.
Më 9 shkurt, kemi mundësinë të zgjedhim një qeverisje të re që do t’i japë Kosovës zhvillimin që meriton. Me AAK-në në pushtet, Gjilani do të rikthehet në qendër të investimeve dhe projekteve kapitale.