Sot është mbajtur takimi i shtatë i kryeministrit Kurti me kryetarët e komunave të Kosovës, ku të pranishëm kanë qenë edhe ministri Hekuran Murati dhe ministri Elbert Krasniqi.
Në takim është diskutuar edhe për qentë endacakë, për cka Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë që të bashkëfinancojë bazuar në nevojat reale.
“Ndër temat që duam t’i trajtojmë në këtë mbledhje të përbashkët tonën, është një çështje e cila është bërë më e rëndë me kalimin e kohës, e kjo është e qenve endacakë, përkatësisht menaxhimi efikas, i cili kërkon koordinim të plotë të dy niveleve. Duhet të kuptojmë që ministritë e linjës dhe komunat duhet të përcaktojnë vend lokacionet për ndërtimin e qendrave të trajtimit të përkohshëm. Komunat duhet të vazhdojnë fushatën me kastrim, sterilizim dhe vaksinim, si dhe të menaxhojnë shitjen e mbarështimin e pakontrolluar, duke i dhënë fund luftërave me qen. Informacionet tregojnë se në disa komuna organizohen luftëra me qen dhe si rezultat krijohen laboratorë shumimi. Qentë më pas braktisen dhe sulmojnë. Qeveria është e gatshme të bashkëfinancojë bazuar në nevojat reale, duke i siguruar qytetarët nga sulmet e qenve endacakë, të cilët janë bërë lajme gati të përditshme në vendin tonë.”
Ndërsa sa i përket cështjes së kontratës kolektive, Kurti tha se qëllim i Qeverisë është vendosja e ligjshmërisë. Ai shtoi se çdo tendencë apo veprim në drejtim të zbatimit të kontratave jashtë fuqisë së ligjit dëmton punëtorin, sundimin e ligjit dhe Republikën.
“Me kërkesë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, është kërkuar që në këtë mbledhje të diskutohet edhe çështja e kontratës kolektive, për të cilën, t’iu vë në vëmendje që edhe në këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë. Çdo tendencë apo veprim në drejtim të zbatimit të kontratave jashtë fuqisë së ligjit, e dëmton punëtorin, e dëmton sundimin e ligjit dhe shtetin tonë. Ne duam diskutim të hapur e të gjerë me punëtorët, bashkë për hartimin e pastaj zbatimin e kontratave kolektive, të cilat reflektojnë nevojën, mundin dhe të drejtën e punëtorit në Republikën e Kosovës.”