Albulena Mehmeti është zgjedhur sot kryetare e Bordit të RTK-së kurse Dardan Beqiri është zgjedhur nënkryetar.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga Bordi i këtij televizioni, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në përputhje me Ligjin për RTK-në, Statutin e RTK-së dhe Rregulloren e punës së Bordit, në mbledhjen e zhvilluar më 08 tetor 2024, Bordi i RTK-së zgjodhi kryesinë e re. Pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, z. Besnik Boletini , me shumicë të votave u zgjedhë kryetare e bordit të RTK-së znj. Albulena Mehmeti ndërsa nënkryetar z. Dardan Beqiri.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit kryesia e re ka falënderuar anëtarët e bordit për besimin si dhe ka shprehur përkushtimin për avancimin e zhvillimit të RTK-së.
“Ata gjithashtu theksuan angazhimin për të ndjekur praktikat më të mira të mediave publike ndërkombëtare dhe për të ruajtur stabilitetin financiar të institucionit. Një nga prioritetet kryesore të kryesisë së re është edhe rritja e kredibilitetit të RTK-së, si dhe vazhdimi i funksionmit të RTK-së në përputhje me rregullativën ligjore dhe standardet më të larta profesionale, duke ofruar informim të saktë, objektiv dhe të shpejtë për qytetarët e Kosovës.”, thuhet në njoftim.