Fenomeni i rrezikshëm nga TikTok-u i vetëlëndimit, pas Gjakovës, ka prekur edhe komunën e Kamenicës.
Të premten në këtë komunë nga drejtoria e një shkolle të mesme janë raportuar rastet e para.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se më datë 11.10.2024, rreth orës 14:00, Policia e Kosovës, Stacioni Policor Kamenicë, është njoftuar nga drejtoria e një shkolle të mesme të ultë në fshatin Koretin, komuna e Kamenicë, se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë veten, dyshohet shkak sfida në rrjetin sociale në TikTok”, ka thënë Hashani për Telegrafin.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës, Njësia e Hetimeve, ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Në këtë rast nuk raportohet për të lënduar. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që në lidhje me rastin të përpilohet një shënim zyrtar”, ka thënë Hashani.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e DKA-së në Kamenicë, por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.
Kujtojmë se javën e kaluar në Gjakovë janë zbuluar rreth 20 raste të vetëlëndimit të nxënësve nga kjo sfidë e rrezikshme e TikTok-ut.
Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi, tha se kanë ndaluar përdorimin e telefonave nëpër shkolla, si një preventivë për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të këtij fenomeni të rrezikshëm.
Ajo bëri të ditur se rastet kanë qenë kryesisht në shkollat e mesme të ulëta, kryesisht të nxënëseve të klasave 6 deri 9.
Kujtojmë se edhe më 30.05.2024 ishin raportuar 17 raste të nxënëseve të shkollave fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë që i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në TikTok.
Raste të ngjashme ishin raportuar edhe në komunën e Lipjanit.