Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pasi Shqipëria ka hapur sot kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se i gëzohet fort kësaj arritje.
Kurti ka thënë se nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova në mësime dhe përvoja “me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”, shkruan Reporteri.net.
Kurti i ka uruar popullit dhe qeverisë shqiptare rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave.
“I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi.
Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona. Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e vlerësoi si historik këtë moment.
“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme”, tha Rama.
Sipas metodologjisë së re, në procesin e zgjerimit fillimisht është hapur grupi i parë ku janë kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Progresi në këtë fushë do të diktojë edhe përparimin në tërë procesin negociator.
Shqipërinë e ka uruar edhe Presidenja Vjosa Osmani, e cila tha se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike të rajonit duhet të vazhdojnë të bëjnë përparim në rrugën evropiane “që është thelbësore për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, jo vetëm për rajonin, por gjithë Evropën”.