Prishtinë – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) pritet që në mbledhjen e 255-të, e cila është planifikuar të mbahet nesër (më 15 tetor) të shpall konkursin për kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe asaj të Apelit.
Konkursi pritet të shpallet për kryeprokuror të Pokurorisë së Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Pejës, si dhe Prokurorisë së Apelit .
Ky konkursi pritet të shpallet bazuar në Rregulloren e re të miratuar në mbledhjen e 253-të të KPK-së, në të cilën Rregullore nuk ishin adresuar rekomandimi i Zyrës së Bashkimit Evropian që kundërkandidatëve t’iu jepet qasje në dokumentet e kandidatëve për kryeprokurorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, në këtë Rregullore nuk ishin adresuar as rekomandimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) që parimi i transparencës të jetë më i detajuar dhe jo vetëm përgjithësim.
Po ashtu, IKD kishte rekomanduar që të mundësohet marrja e mendimeve apo informatave të karakterit këshillëdhënës nga secili prokuror për secilin kandidat për kryeprokuror.
IKD në komentet e dhëna ka rekomanduar që KPK të themelojë Panelin Vlerësues dhe me vendim të caktojë edhe kryesuesin e këtij paneli, duke mos përcaktuar që automatikisht Kryesuesi i KPK-së të jetë edhe kryesues i Panelit për Vlerësim.
Në konkursin që pritet të shpall KPK, parashikohet të themelohen edhe Panelet Përkatëse për Vlerësimin e kandidaturave për kryeprokurorë.
Kujtojmë, se në dhjetor të vitit 2023, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është zgjedhur Zejnullah Gashi, kurse kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, të dy me mandat 4-vjeçar.
Gjithashtu, në dhjetor të vitit 2023 në krye të Prokurorisë Speciale ishte emëruar Blerim Isufaj./BetimipërDrejtësi