Pas një pushimi dyjavor, Superliga e Kosovës kthehet sot me një ndeshje të vetme që hap xhiron e 10-të, ku SC Gjilani do të përballet me Ferizajin.
Skuadra e trajnerit Ardian Nuhiut gjatë këtij pushimi zhvilloi një ndeshje kontrolluese ndaj Fushë Kosovës, të cilën e humbi.
Megjithatë, në një konferencë për media, Nuhiu theksoi se ky pushim u shfrytëzua për të analizuar mirë kundërshtarin dhe për t’u përgatitur maksimalisht për këtë përballje.
Gjilani vjen nga një barazim në derbin lokal kundër Dritës dhe synon që në këtë ndeshje ndaj Ferizajit të marrë tre pikët e plota. Fitorja do të ishte e rëndësishme për të mbajtur skuadrën në garë për pozitat e larta në kampionat.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, duke filluar nga ora 13:00.