Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka thënë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet sërish si pasojë e dështimit të qeverisë.
Azemi, në një shkrim në rrjetin social ‘Facebook’, tha sot se kërkesa për energji elektrike gjatë muajve të dimrit do të rritet dukshëm dhe se prodhimi aktual në Kosovë nuk është i mjaftueshëm.
“Kur po afrohemi drejt muajve të dimrit dhe kërkesa për energji elektrike do të rritet dukshëm, prodhimi aktual në Kosovë nuk është i mjaftueshëm. Kjo na detyron të blejmë energji nga jashtë me çmime shumë të larta, duke rritur çmimin për qytetarët tanë”, tha Azemi.
“Avaritë në termocentralet tona, të cilat kanë kaluar jetëgjatësinë e tyre të parashikuar, janë të papritura dhe të rrezikshme”.
Azemi tha se përveç ndërprerjes së prodhimit, këto avari rrezikojnë jetët e punëtorëve, siç u dëshmua me shpërthimin e sotëm në Termocentralin Kosova A.
“Kujtojmë që Termocentrali Kosova A është dashur të mbyllet që nga viti 2017, duke e bërë këtë një shkelje të vazhdueshme të rregullave të cilësisë së ajrit, e cila po dëmton shëndetin e qytetarëve tanë çdo ditë”, tha ai. “Çdo vonesë në investime po na sjell pasoja të rënda, duke na lënë të varur nga importet dhe duke rrezikuar stabilitetin energjetik të vendit.”