Është publikuar raporti i Komunitetit të Transportit – Siguria rrugore në Ballkanin Perëndimor në vitin 2023.
Policia e Kosovës në njoftimin e bërë për media thotë se situata është e pranueshme krahasuar me shtetet tjera, transmeton telegrafi.
“Në këtë raport falë angazhimeve, koordinimit ndërinstitucional dhe profesionalizmit është arritur të kemi një situatë të pranueshme krahasuar me shtetet tjera. Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet edhe më tutje në ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve në përgjithësi”, thuhet në njoftim.
Në raport theksohet se në vitin 2023, 1261 persona humbën jetën në aksidente rrugore në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke shënuar një rritje prej 1.2% nga viti i kaluar.
Në vitin 2023, në Kosovë kanë humbur jetën 106 persona në aksidentet që kanë ndodhur në komunikacion.
Numër i madh i vdekjeve kanë ndodhur edhe në Shqipëri, ku 192 persona kanë humbur jetën, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara në aksidente trafiku.
Gjithashtu, në raport bëhet e ditur se të dhënat zyrtare janë të ofruara nga partnerët rajonalë dhe pjesëmarrësit vëzhgues.
“Aksidentet e trafikut rrugor mund të jenë një dukuri e përditshme, por ato mund të parandalohen dhe të rezultojnë në më pak viktima dhe lëndime serioze. Për të arritur këtë, nevojiten procese të përmirësuara të politikëbërjes”, vijon raporti.
Ndryshe, Policia e Kosovës në vazhdimësi ka bërë thirrje që shoferët të respektojnë rregullat në komunikacion.