Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, ka bërë disa ndryshime thelbësore edhe për procesin e votimit me kusht në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Ky lloj votimi, sipas KQZ-së, nuk do të bëhet i mundur në çdo qendër votimi, ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Ky lloj votimi do të mundësohet vetëm në qendrat e votimit, të cilat do t’i caktojë KQZ-ja.
Ky ndryshim i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme është prezantuar me anë të një videomesazhi nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, ka bërë disa ndryshime lidhur me votimin me kusht. Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të mundësohet në çdo qendër votimi, ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ-ja do të caktojë qendrat për votim me kusht. Lista e tyre do të publikohet në uebfaqen e KQZ-së dhe mjetet tjera të informimit”, thuhet në videon informuese të prezantuar nga Elezi.
Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, numri i qendrave të votimit në 38 komunat e Kosovës ishte 888 qendra votimi dhe në secilën prej tyre ishte i mundur votimi me kusht.