Sërish ka pësuar rritje ari në Kosovë, ku një gram kushton nga 70 deri në 80 euro. Kjo rritje, konsiderohet si reflektim i rritjes së çmimit të arit në bursën ndërkombëtare.
Janë disa nga llojet e stolive në tregun kosovar.
Por, çmimi i tyre ka pësuar lëvizje të herë pas hershme.
Së fundi, në bursën ndërkombëtare ari ka shënuar rritje të çmimit.
Kjo është reflektuar edhe në Kosovë, ku çmimi i një grami varion nga 70-80 euro.
“Kjo reflekton shumë tek ne. Ka reflektim, fatkeqësisht negativ. Ka dukshëm rënie të interesimit të blerjes së arit, sepse për momentin është shtrenjtë”, tha kryetari i Shoqatës së Artarëve të Kosovës, Enver Pakashtica.
Në këto kohë shtrenjtimi, klientela më shumë fokusohet në përpunim të arit apo ndërrim të stolive.
“Po na ngushëllon se po vijnë njerëzit edhe po e ndërrojnë. E kanë produktin e vjetër, a ka përdorur 5 vjet, 10 vjet, iu është dëmtu, iu është thy diçka, edhe vjen e ndërron. E ne me këta klientë kemi punë, e me ata që vijnë më marrë me kesh për shembull, ka rënë puna dukshëm”, tha Pakashtica.
Këto ndryshime të vlerave të metalit të çmueshëm, llogaritet të vijnë në vendet të cilat kanë rezerva të tyre e që janë zona potenciale konflikti.
“Rritja e çmimit të arit, po vjen si rezultat i konflikteve ose kërcënimeve të shteteve, fuqive të mëdha është fjala, kur dihet fuqia e rezervave të tyre që i kanë me ari edhe çdo tensionim i situatës diku ose çdo kërcënim i një vendi ndaj një vendi tjetër që kanë rezerva të arit, padyshim që ndikon në ngritjen e çmimit të arit. Kosova nuk i ka as rezervat e veta me ari, e kam fjalën për rezerva monetare, dhe kështu që ne jemi të varuar nga çmimi i berzës. Sa lëviz në berzë menjëherë reflektohet edhe në Kosovë”, tha Lulzim Rafunca nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Në bursën ndërkombëtare, aktualisht çmimi i një gram ari tejkalon shifrën e 88 dollarëve./teve1/