Sot (e enjte) në Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme nga ora 12:00, ku do të diskutohet për ‘skandalet dhe keq menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës’.
Seanca është thirrur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është mbështetur nga partitë e tjera opozitare.
Në kërkesën e LDK-së thuhet se kjo seancë është e domosdoshme për zhvillimin e një debati të gjerë parlamentar lidhur me situatën alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme në KEK, të cilat kanë dëmtuar funksionimin dhe integritetin e kësaj ndërmarrjeje jetike për vendin.
“Kjo seancë ka për qëllim që Kuvendi të adresojë këto shqetësime dhe të zhvillojë një debat të të hapur për masat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar menaxhimin ne KEK, për të rritur transparencën dhe për për të ndalur ndërhyrjet e paligjshme.”.
Në këtë seancë do të propozohet edhe një draftrezolutë, ku ndër të tjera do të kërkohet edhe hetim i plotë për rolin e Dejona Mihalit në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje .
Gazeta online Reporteri.net ka siguruar draftin e kësaj rezolute ku thuhet:
Përmes këtij dokumenti, Kuvendi kërkon që të hetohen të gjitha skandalet në KEK.
“ Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente, që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht. 2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushte të favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.”, thuhet në dy pikat e para të rezolutës.
Më pas, projektrezoluta kërkon që të hetohen ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, duke përfshirë rolin e Dejona Mihalit.
“ Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojnë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK. 4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme”, thuhet në tekstin e projektrezolutës.
Tri pikat e fundit të rezolutës kanë të bëjnë me Qeverinë e Kosovës dhe Bordin e kësaj ndërmarrje.
“Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë së energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale. 6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qëllim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes. 7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës në ndërmarrje”, është thënë në rezolutë./Reporteri.net/