Kryeministri Albin Kurti ka përmendur dhe njëherë muajin tetor si muaj për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.
Lidhur me këtë, i pari i qeverisë shton se 95 për qind e terapisë për trajtimin e kancerit të gjirit mbulohet nga shteti, ndërkaq rikonstruktimi i gjirit që bëhet pas trajtimit, së shpejti do të jetë shërbim që do të ofrohet pa pagesë në spitalet tona publike, e që kushton mijëra euro ne sektorin privat.
“Për dallim nga vitet tjera, në vitin 2024 mbi 52% e rasteve që janë diagnostikuar janë raste në fazën e parë dhe të dytë – pra në faza të hershme, gjë që mundëson sukses shumë më të lartë në trajtimin e tij. Prandaj edhe motoja “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë” me të cilën sot bashkë me presidenten Osmani, ministrin e Shëndetësisë Vitia, drejtues të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, diplomatë të vendeve mike, aktivistë e qytetarë bëmë ecjen tradicionale në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit”, ka shkruar Kurti në Facebook.