Shkruan: Avni Rudaku
Para pak kohësh, shkrova një artikull në shenjë mllefi, se do ta kisha bërë vijë të plotë nga Gjilani në Prishtinë për shkak të rrugës me shumë kthesa të këqija dhe zonë vendbanimesh, si dhe rrugën Gjilan-Ferizaj, me dominim të fshatrave e zonë e shpeshtë vendbanimesh e zebrash për këmbësorë, në dyja anët me vendbanime e shumë shkolla me nxenës.
Sërish mora pezmin të shkruaj pas aksidentit të tmerrshëm me fatalitet në Bresalc, ku u pikëllova shumë.
Në Gjilan-Prishtinë, shoferët bëjnë rreziqe të papara, sidomos me tejkalim në vija të bardha, por edhe bëjnë rreziqe me tejkalime e shpejtësi të papërshtatshme, sikur të jenë në aventura me formula e GoKart.
Duke pyetur shumë policë komunikacioni me përvojë, vazhdoj të besoj se tejkalimet dhe shpejtësia e llahtarshme në trafikun rrugor, janë dy faktorët kryesorë të shqetësimit në komunikacion (nuk duhet të brengosemi vetëm nëse dikush po na mbytë në trafik, por edhe veç që po na vë në siklet me sjelljen e tij të papjekur, duke mos vlerësuar mirë as rreziqet për vete, as për të tjerët!) dhe shkaktimit të viktimave.
E vërej kudo edhe një veprim tepër të papërgjegjshëm, kur shoferët sapo dalin nga rruga kryesore, ose nuk japin fare shenjë, ose japin duke hyrë veçse në kthesë në të majtë a në të djathtë, por nuk japin çuditërisht shenjë pak metra para se të kthehen majtas ose djathtas.
T’i kthehemi tejkalimit. Tejkalohet në tri e më tepër vetura para, në vijë të bardhë, në kthesa që po afrohen shpejt e fare nuk ka fushëpamje.
Duhet të rriten ekstrem dënimet për tejkalime e shpejtësi, e jo p.sh., aq gjobë e lartë për rrip sigurie brenda vendbanimit. Duhet të vendoset blici dhe aparaturat nuk kanë ndjenja e nuk falin, siç ndodh me policë. Gjithashtu, krejt e dinë ku rri policia: në Bresalc, në dalje të qytetit afër Kids World, në Graçanicë me raste. Ka edhe një traditë spiunazhi negativ: shoferët paralajmërojnë me drita në emër të së mirës (por bëjnë keq), ule shpejtësinë, se janë policët afër!
Vazhdoj të besoj se, blicat Gjilan-Prishtinë, gjatë tërë gjatësisë rrugore rreth 46 kilometra, jo vetëm do të shpëtonin jetë, por do ta shtonin buxhetin e shtetit me gjoba, nuk do të kishte aq shumë shqetësime në trafik dhe do të luftohej papjekuria në trafik.
Vetëm të shtoj tiparet e një personaliteti tërësisht të papjekur, kryesisht meshkuj a burra, e me raste edhe vajza e gra:
1. Veç i pari, para të gjithë të tjerëve, tipi dominues;
2. Lavdërim para të tjerëve, në sa kilometra në orë e kam “hangër kthesën”, tipi infantil;
3. Mburrje për sa kam ardhur në Gjilan ose shkuar në Prishtinë, për 35 minuta, për 40 minuta, për 45 minuta, tipi acarues, intolerant;
4. Mburrje për vozitje si në gara Formulash, tipi mburravec;
5. Për shkathtësi në ngasje veture, tipi amatoresk.
Jam i bindur që tejkalimi dhe shpejtësia janë dy faktorët që e puthin më së shpeshti vdekjen, kryesisht të tjerëve.
Prandaj, sa herë e merr timonin në duar, merre me përgjegjësi, e shtypi mburrjet e poshtra, impulset për adrenalinë trafiku, mosdurimin për të pritur vendin e duhur. Nëse do adrenalinë, merru me ngjitje e alpinizëm, e jo në trafik. Gjej adrenalinë, aty ku të paktën nuk rrezikon askë tjetër, edhe pse thuajse kudo, edhe në ngjitje, mund të rrezikosh edhe dikë tjetër e t’i lëndosh njerëzit e tu më të dashur, në rast se vetëm veten e lëndon, apo jep shpirt!
Tejkalimi dhe shpejtësia, papjekuria e personalitetit të vozitësve, duhet të luftohen të parat. Pastaj flasim herë të tjera, edhe për shkaktarët e tjerë.
Edhe një gjë: veç të duhet pak thellim në mendime, pa qenë ekspert komunikacioni, për të kuptuar disa nga shkaktarët e aksidenteve të shumta, përfshirë edhe fajin e institucioneve shtetërore, kur zvarrisin tejmase finalizimin e projekteve rrugore, si në rrugën Gjilan-Bujanoc, siç ndhodhi tragjedia me të riun para pak kohësh, e jo vetëm si shkak tejkalimi i shpejtësisë, por fatkeqësisht edhe për mungesë të qartë të shenjave të punimeve në rrugë e zvarritjes së papranueshme të kryerjes së punimeve për disa vjet, si ky zgjerim rruge për Bujanoc, hyrje-daljet në Gjilan-Prishtinë, Ura e Badocit, autostrada Gjilan-Prishtinë…