Lëvizja Vetëvendosje ka sulmuar përsëri partitë opozitare për rritjen e pagave.
VV-ja ka akuzuar partitë opozitare se në të kaluarën shërbyesve civili ua rritën pagat 4 për qind dhe për vete rriten pagat 100 për qind.
Më tej, ata kanë prezantuar rritjen e pagave nga Qeveria Kurti.
Shkrimi i Lëvizjes Vetëvendosje!:
Klubi i Stërvjetruar Politik flet sërish për rritje të pagave. Por, kjo nuk është diçka e re nga ta.
Por çfarë bënë ata sa ishin në pushtet?
Për veten, prokurorinë dhe gjyqësorin rritën pagat për 100%, sepse aty kishin interes. Ndërkohë, shërbyesve civil, për të cilët gjithmonë premtonin, u rritën pagat vetëm 4%.
Në dallim nga ta, Qeveria Kurti nuk premtoi rritje të pagave, por i realizoi ato, duke krijuar një kornizë ligjore për paga, koeficientë për secilin pozicion, dhe duke zvogëluar hendekun mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Rritja e pagave tani lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit: sa më shumë të rritet ekonomia, aq më shumë rriten pagat.
Gjithashtu, Qeveria u kujdes që të gjitha kategoritë të përfitojnë, veçanërisht mësuesit, policët, infermierët, zjarrfikësit, ushtarët dhe pensionistët. Krahas kësaj, u implementua një program i gjerë social që përfshin rritje të pensioneve, shtesa për nënat leona, për fëmijë dhe forma të tjera subvencionesh që ndikojnë pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.