Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka si synim të ulë importin, por theksoi se ky proces do të kërkojë kohë për t’u realizuar, duke pasur parasysh “gjendjen e trashëguar ekonomike”.
Ai ka theksuar se gjatë qeverisjeve të kaluara, shumë fabrika riprodhuese janë shitur për hekur, duke krijuar një pengesë të madhe për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese vendore.
Murati ka theksuar se janë ndërmarrë disa masa për të mbështetur prodhuesit vendorë, duke përfshirë subvencionimin e kredive investuese dhe mbështetje për certifikim dhe pjesëmarrje në panaire.
Ministri gjithashtu gjatë seancës plenare të kuvendit, ka deklaruar se diçka që është shkatërruar brenda 20 vjetëve, nuk mund të ndreqet për një mandat.
“A është synim i qeverisë të ulet importi? Patjetër që po. Kemi bërë mbështetje, masa përmes ministrive duke mbështetur në certifikim e pjesëmarrje në panaire. Nuk mund të ulet importi në një ekonomi të trashëguar ku të gjitha fabrikat i keni shitur për skrap. Merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti. Deri atëherë, do të vazhdojmë të punojmë. Diçka që është shkatërruar për 20 vite, nuk mund të rregullohet brenda një mandati”, ka deklaruar Murati.