Që nga data 27 tetor 2024, rruga e njohur si “Rruga e Prishtinës” në Gjilan, ish-Varoshi, hyrje-daljet për lagjen është bërë me vështirësi kalimi për shumë vetura, madje me rreziqe për këmbësorë, veçmas natën. Gjatë punimeve për instalimin e kanalizimit dhe ujësjellësit në një kompleks banesor, një investitor ka prerë a çarë asfaltin e kësaj rruge të rëndësishme, dhe deri tani, pra 13 nëntor, nuk ka marrë masa për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.
Kjo situatë tregon një mungesë serioze përgjegjësie ndaj komunitetit të lagjes, kalimtarëve e të gjithë shoferëve, duke lënë rrugën në gjendje të papërshtatshme dhe duke shkaktuar shqetësime të përditshme për qytetarët. Ndërkohë, institucionet përkatëse komunale të Gjilanit, nuk kanë ndërhyrë për të kërkuar llogari dhe për të siguruar rregullimin e saj sa më parë, çka tregon një mungesë të qartë të monitorimit dhe koordinimit.
Një rrugë kaq e frekuentuar nuk duhet të lihet në këtë gjendje për kohë aq të gjatë dhe as pa shenja paralajmëruese, duke krijuar pasiguri dhe vështirësi për banorët në lëvizjet e tyre të përditshme. Institucionet komunale duhen të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj investitorit, duke siguruar që përgjegjësitë e tij të përmbushen dhe punimet të përfundojnë sa më shpejt.
(Letër nga një banor anonim i lagjes për Radiostar)