Qytetarë të shumtë janë ankuar se janë ndalur në pika kufitare për shkak të dënimeve që i kanë marrë për kundërvajtjet në trafik.
Kjo masë po shihet si shkelje e të drejtave të njeriut, derisa policia sqaron se bëhet fjalë vetëm për vendime gjyqësore të formës së prerë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas shumë ankesave të qytetarëve të cilët thonë që janë ndaluar nëpër pikat kufitare të Kosovës me orë të tëra për shkak të dënimeve të papaguara, kryesisht të trafikut.
Haxhiu ka thënë që gjobat duhet të paguhen, por autoritetet nuk kanë të drejtë që të ndalin qytetarët nëpër pika kufitare vetëm për këtë arsye dhe pa vendime të gjykatave apo pa njoftim paraprak.
Nga ana tjetër, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka deklaruar se ndalimi nga policia bëhet vetëm me kërkesë të institucioneve të drejtësisë. “Ne vetëm zbatojmë vendimet e gjyqësorit. Bëhet fjalë për ato dënime që kanë marrë vendime gjyqësore”, ka thënë Hoxha.
Policia e Kosovës sqaron se çdo person i cili ka masë ndëshkuese, varësisht prej shkeljes, veprës së kryer, ndaj të cilit është marrë vendim nga organet e drejtësisë, (urdhëresë te gjykatës) nëse i njëjti nuk iu është përgjigjur vendimit, atëherë vendoset në sistem dhe mund të ndalohet si në hyrje, ashtu edhe në dalje të Republikës së Kosovës.