Komuna e Gjilanit ka shpallë qytetar nderi Afrim Kqikun, njeriun që aq shumë kishte bërë për Gjilanin para, gjatë dhe pas luftës. Kqiku këtë cmim e ka vlerësuar si shumë domethënës për të dhe të atillë që i bënë nder. Ai i është drejtuar kryetarit të Gjilanit, këshilltarëve komunalë, por edhe qytetarëve të Gjilanit dhe fjalimin e tij po e botojmë të plotë:
Më lejoni të shpreh një falënderim të veçantë për të gjithë ju që nga kryetari e deri te dora juaj e ngritur për të votuar unanimisht votimin tonë Qytetar Nderi.
Është një ndryshim pozitiv që është filluar të ndodhë në Komunën time, ku njerëzit e gjallë vlerësohen e nderohen për aktivitetin dhe punën e tyre për të gjalle të tyre.
Më bënë krenar ky çmim mua, më bënë krenar kjo formë e nderimit e dekorimit për së gjalli.
Gjilani gjithmonë ka dhënë shumë punëtorë të dalluar, shumë njerëz të veçantë të përkushtimit për punë, shumë njerëz të angazhuar me dekada për çështjen kombëtare, që përmes kulturës, sportit, artit, arsimit, politikbërjes, e deri te angazhimi sakrifikimi i jetës së shumë dëshmorëve e të rënëve për liri, që asnjëherë nuk duhet t’i harrojmë bashkërisht.
Ne jemi vendosur me këtë çmim të madh të Komunës në radhë me Bacën Rexhep Berishen e ndjerë, me presidentin Meta, me sportistin që na bënë nderi Erzen Rrustemi, me mikun tonë Amerikan qe ishte në shërbim ushtarak në Gjilan e shumë të tjerë.
I nderuar kryetar, na keni nderuar neve, keni nderuar veten dhe familjen tuaj të respektuar, na keni dhënë hise te madhe qe te vazhdojmë tutje të kontribuojmë për qytetin tonë edhe më me përkushtim sepse na keni bërë të shenjëzuar tani.