Sot zhvillohet ndeshja mes SC Gjilanit dhe Malishevës, e vlefshme për Superligën e Kosovës.
Skuadra e trajnerit Ardian Nuhiu vjen në këtë përballje pas një fitoreje të rëndësishme në udhëtim ndaj Feronikelit’74 dhe synon të vazhdojë serinë e sukseseve, duke shmangur zonën e rrezikshme të tabelës.
Në anën tjetër, Malisheva, nën drejtimin e trajnerit gjilanas Bekim Isufi, po kalon një formë të shkëlqyer. Aktualisht, ajo renditet në vendin e tretë të tabelës me 25 pikë, duke treguar stabilitet dhe lojë të bukur kampionale.
Trajneri Nuhiu, në deklaratën e tij para ndeshjes, kërkoi nga lojtarët e tij të vazhdojnë me angazhim maksimal për të mbajtur ritmin e rezultateve pozitive. Ai po ashtu vlerësoi Malishevën, duke theksuar cilësinë e lojës së saj dhe kontributin në zhvillimin e futbollistëve cilësorë.
Ndeshja do të zhvillohet sot në Gjilan, në orën 13:00, në stadiumin ndihmës me bari sintetik.