Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur lajm të mirë miratimin në dy lexime Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se ky është hap i rëndësishëm në forcimin e sundimin e ligjit.
Ajo tha të enjten në Facebook se ky është hap edhe për luftën ndaj korrupsionit.
“Në seancën e sotme, përveç tjerash, u miratuan në të dy leximet dy ligje të rëndësishme: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligji për Gjykatën Administrative. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit. Falënderoj deputetët për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në këtë proces, me shpresën që opozita të mos përdorë Gjykatën Kushtetuese me qëllim të zvarritjes së tyre”, ka shtuar Haxhiu.
Gjatë ditës së djeshme, me 62 vota për, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar edhe në lexim të dytë Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe abstenim.
Më 26 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Ligjin për byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi gjeti se katër nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.