Fatih Karahoda ka lënë prapa lëndimin që e mbajti jashtë fushave të blerta për më shumë se gjashtë muaj. Në fakt futbollisti prizrenas është paraqitur në vetëm gjashtë përballje kampionale me kuq e bardhët këtë edicion, pasi që në kuadër të javës së gjashtë pati pësuar lëndim në kavilje përballë Prishtinës, shkruan Gazetasheshi.com.
Ai është rikthyer tashmë e një kohë seancave stërvitore, ndërkohë që shumë shpejtë pritet të vendos për të ardhmen e tij, derisa zbulon se ndodhet në negociata me drejtuesit e klubit të Gjilanit për ta rinovuar kontratën.
“Kontrata ime aktuale me Gjilanin përfundon me 30 qershor. Ndërkohë që gjatë këtyre ditëve do të bisedojme me drejtuesit e klubit për të vazhduar kontratën dhe mbetet të shihet nëse do të gjejmë ndonjë gjuhë të përbashkët apo jo. Besoj që shumë shpejtë edhe do të marrim vesh të ardhmen tonë”, deklaroi Karahoda për Gazetasheshi.com.
Karahoda erdhi te Gjilani si një përforcim i madh gjatë afatit kalimtar të verës, ndërkohë që fati nuk ishte me të pasi u lëndua në fillim të kampionatit. Më parë Karahoda ishte pjesë e Lirisë së Prizrenit, Besës së Pejë, Feronikelit, Vëllaznimit të Gjakovës dhe Prishtinës.