Deri më tani janë aprovuar 44 mijë e 542 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, ndërsa 2 mijë e 844 janë refuzuar.
Kështu tha në një përgjigje për Gazetën Express zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 18 dhjetor, në orën 10:00, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 44,542 kërkesa për regjistrim, ndërsa 2,844 janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së.”
Elezi shtoi se nga 44,542 aplikime të aprovuara, 11,025 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 7,006 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 26,511 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.”
Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të përfundojë më 26 dhjetor.