Gjatë ditës së sotme u raportua për një kërcënim që kishte marrë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook.
Llogaria nga ku kërcënimi i kishte shkuar Haradinajt mbante emrin “Shpat Sokoli”.
E me të marrë lajmi dhen, kjo llogari u pastrua dhe u fshinë të gjitha postimet dhe fotot.
Por, në orët e vona, një llogari në Facebook me emrin “Lüftung Montage Anlage” u lajmërua, duke pretenduar se është pikërisht Shpat Sokoli “i vërtetë”.
Ky profil pretendon se atij i është keqpërdorur emri.
“Sot jemi të shqetësuar nga kërcënimet që një person me emrin në Facebook, Shpat Sokoli, i ka bërë ndaj Kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Ne dënojmë ashpër këto kërcënime dhe nuk pajtohemi kurrsesi me një formë të tillë komunikimi”.
“Njëkohësisht, dëshiroj të sqaroj publikisht se unë, Shpejtim Sokoli, (i thirrur Shpat) nuk jam personi që ka kërcënuar z. Haradinaj”, u shpreh ky profil.
Në reagim, ky profil me emrin “Lüftung Montage Anlage” thotë se familja e tyre është familje dëshmorësh dhe martirësh, e cila thotë se ka dhënë gjithçka për Kosovën.
Madje thotë se me familjen Haradinaj “ndajmë të njëjtat vlera dhe histori sakrifice”.
Në ndërkohë, ky profil thotë se sot ka ardhur në Kosovë për festat e fundvitit dhe thotë të jetë njoftuar në Kosovë për këtë rast.
“Lus Policinë e Kosovës të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për hetimin dhe zbardhjen e kësaj çështjeje, duke bërë që personi në fjalë të dalë para drejtësisë sa më shpejt. Në kohën e avancimit teknologjik, është shumë e lehtë për organet kompetente të identifikojnë profilet në rrjetet sociale. Sidomos kur në foton e profilit shihet personi. (Shihni fotot e postuara më herët nga profili i personit në fjalë të cilat janë marrë përpara se ai t’i fshijë)”, tha ky profil.
Ai po ashtu tha se raportimet në media gjatë ditës së sotme për të “janë të pavërteta”.
“Gjithashtu, familja jonë është shumë e shqetësuar nga publikimet në media që aludojnë në mënyrë të pavërtetë për mua. Ju lutem, mos vazhdoni të më inkriminoni as mua dhe as emrin e familjes sime”, u tha në deklaratën e postuar nga profili “Lüftung Montage Anlage”.