Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të shmang pyetjet e gazetarëve për të katërtën herë, sa i përket çështjes së ftesës nga Prokuroria Speciale e Kosovës për të dëshmuar për rastin e rezervave shtetërore.
Kurti edhe sot s’ka pranuar të përgjigjet nëse ka marrë ftesë të re nga Prokuroria. Pas pjesëmarrjes së tij në konferencën e Agjencisë së Statistikave për të shpallur rezultatet e para përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë, ai është pyetur nga gazetarët, megjithatë është larguar në heshtje.
Kryeministri Kurti i ka shmangur mediat edhe të mërkurën kur gazetarët e kanë pyetur nëse ka marrë një ftesë të dytë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, meqë të hënën s’është paraqitur për të dëshmuar me arsyetimin se ndodhet në udhëtim jashtë vendit.
Kurti sot është larguar me vrap, duke thënë se i duhet të shkojë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që në ecje e sipër ka shikuar edhe orën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që prej kthimit të tij nga Sllovenia është duke shmangur gazetarët dhe mediat. Herën e parë kur ata e kishin pritur tek Hotel Grand për ta pyetur për ftesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Kurti i rrethuar nga mbrojtja e afërt është larguar me vrap duke thënë se i duhet të shkojë në koncert tek Salla e Kuqe.
Gazetarët po atë ditë e kanë pritur kryeministrin edhe pas përfundimit, ndërkohë skenari i njëjtë është përsëritur edhe pasi Kurti ka dalë nga koncerti, duke thënë se i duhet të largohet për një takim tjetër të radhës.