Buxheti në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh u votua nga 61 deputetë të mazhorancës në Kuvendin e Kosovës, në fund të muajit nëntor.
Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se buxheti tregon se Qeveria nuk ka ambicie për të bërë ndryshime të kushteve për zhvillim ekonomik.
Ai thotë se kjo qeveri është qeveria me performancën më të dobët që ka pas Kosova ndonjëherë në realizimin e investimeve kapitale.
“Buxheti i kësaj qeverie për vitin 2025, tregon për mungesën e ambicies së kësaj qeverie për të bërë një ndryshim substancial të standardit të jetesës dhe të kushteve për zhvillimin në vend. Buxheti i vitit 2025 nuk ofron asgjë më tepër sesa buxhetet paraprake. Nëse shohim strukturën e këtij buxheti është një strukturë standarde që e ka aplikuar kjo qeveri, sipas strukturës nëse e shohim e shohim që investimet kapitale vazhdojnë të kenë një pjesëmarrje që nuk paraqet ndonjë rritje dhe nëse shohim strukturën dhe përmbajtjen e investimeve kapitale shohim që mbi 90% e tyre janë të bartura nga vitet paraprake dhe nuk ka projekte kapitale të reja të hartuara gjatë kësaj qeverie. Kur flasim për investimet kapitale duhet pasur parasysh që kjo qeveri është qeveria me performancën më të dobët që ka pas Kosova ndonjëherë në realizimin e investimeve kapitale, jo që nuk kanë rritur pjesëmarrjen e investimeve kapitale në buxhet, por këta kanë dështuar totalisht edhe në realizimin e atyre pak investimeve kapitale që i kanë planifikuar”, tha ai.
Sipas tij, gjatë qeverisjes së Vetëvendosje vendi ka pasur stagnim ekonomik.
“Gjatë kësaj qeverie kemi një ndryshim gjatë këtyre 4 viteve në strukturën e buxhetit ku shohim që kategoria e subvencioneve është shndërruar në kategorinë më të madhe të buxhetit dhe sigurisht që ka nevojë vendi për subvencione në fusha të ndryshme me kusht që ato të rezultojnë në rritje të prodhimit dhe në krijim të kushteve më të mira për zhvillim, mirëpo çfarë ka ndodhur gjatë këtij mandati qeverisës vetëm zhvillim nuk mund të themi që ka, nuk ka zhvillim në asnjë sektor. Nëse e shohim rritjen ekonomike kemi ngadalësim të rritjes ekonomike në krahasim me periudhën para se të vijë kjo qeveri në pushtet, dhe vendi është në një stagnim ekonomik ku kushtet për vende të reja të punës janë shumë të vogla, biznesi privat është një gjendje të vështirë dhe në këto kushte nuk arrin të sigurojë paga të dinjitetshme për punëtorët dhe vendi nuk është dhe ambienti i të bërit biznes në Kosovë nuk është atraktiv për investime të reja”, shtoi ai.
Por Mustafa kritikon Qeverinë për mos realizim të investimeve kapitale, derisa thotë se ka pasur dështim total.
Ai thotë se gjatë mandatit qeverisës ka pasur grumbullim të taksave nga qytetarët e më pas shpërndarje të tyre si lloj subvencioni.
“Kjo është qeveria me realizimin më të dobët të investimeve kapitale që ka pasur ndonjëherë, nuk e kemi asnjë projekt madhor të filluar dhe të përfunduar gjatë kësaj qeverie, nuk e kemi asnjë projekt të madh kapital që kjo qeveri e ka gjet në proces dhe ka arritur ta realizojë, ta përfundojë, pra kemi një dështim total në investime kapitale. Nëse e shohim kategorinë e subvencioneve dhe transferove kjo kategori është kategoria me rritjen më të madhe gjatë këtij mandati qeverisës, mirëpo fatkeqësisht kjo rritje e subvencioneve nuk është përkthyer në rritje të prodhimit sepse subvencionet kanë kuptim vetëm atëherë kur arrin të ndihmojnë sektori privat që të ngritët në një nivel më të lartë. Ajo që ka ndodh gjatë këtyre 4 viteve, gjatë këtij mandati qeverisës kemi grumbullimin e taksave nga qytetarët dhe kryesisht shpërndarjen e tyre prapë te qytetarët përmes shumave herë nga 50 euro herë nga 100 euro, herë duke i subvencionuar ndërmarrjet publike”, përfundoi Mustafa për Expose.