Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka hedhur poshtë referimin e fundit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pretendonte shkelje të të drejtave të tij themelore gjatë paraburgimit.
Në një deklaratë të publikuar, Gjykata njoftoi se “Paneli i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, ka marrë vendim lidhur me referimin e Thaçit, që lidhej me masat hetimore të posaçme të vendosura gjatë paraburgimit të tij vitin e kaluar.”
Thaçi kishte pretenduar se monitorimi i bisedave të tij jo të privilegjuara kishte shkelur të drejtën për privatësi, si dhe disa nene të Kushtetutës së Kosovës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Megjithatë, Paneli vendosi që pretendimet e tij nuk kishin bazë të mjaftueshme.
“Paneli përcaktoi se ankesa e Thaçit nuk ka demonstruar shkelje të së drejtës së tij kushtetuese për privatësi dhe rrjedhimisht vendosi se ky aspekt i referimit ishte i papranueshëm,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
Gjithashtu, Paneli hodhi poshtë ankesat e Thaçit që lidhen me të drejtën për avokat dhe të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, duke i cilësuar ato si të parakohshme.
“Këto ankesa nuk mund të shqyrtohen pasi nuk ka filluar ende asnjë procedurë gjyqësore lidhur me këto çështje dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar për akuzat,” sqaroi Gjykata.
Sipas Panelit, nuk janë shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike të mundshme, në përputhje me nenin 113(7) të Kushtetutës së Kosovës dhe rregullat përkatëse të Dhomave të Specializuara.
“Rrjedhimisht, këto pretendime janë të papranueshme sipas rregullës 14(f) të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara,” përfundoi Gjykata.
Ky vendim vjen në një kohë kur Thaçi dhe të tjerët të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po përballen me procese të gjata dhe komplekse në Hagë.