Koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025 në vendin e lavdisë kombëtare, në Prekaz.
Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Nazim Gagica, me numër 83 në listën e AAK-së, ka deklaruar se ndjehet krenar që ditën e parë të fushatës zgjedhore e nis nga Prekazi i shenjtë i Adem Jasharit.
“Pikërisht në këtë datë, më 11 janar, kujtojmë janarin e acartë të vitit 1984 dhe rënien heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës. Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari, Haradinajve dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës do të jenë frymëzimi ynë për Kosovën dhe atdheun tonë,” ka theksuar Gagica.